INTERVIEW BY ARBER SELMANI FOR KULTUPLUS

Interview in Albanian for Kosovo web portal
LINK to KULTPLUS

Adela Jusic: Arti dhe kultura ndihmojnë, por nuk do ti pajtojnë popujt e ish Jugosllavisë

Publikuar: 2016-01-03 11:37:13

Ajo është zgjedhur artistja më e suksesshme në Bosnjë, ndërsa në Kosovë erdhi këtë verë me një ekspozitë në Prizren e dikur morri pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare Muslim Mulliqi. Adela Jusic është kundër pajtimit të popujve që imponohet kryesisht nga jashtë, ndërsa thotë se në Bosnjë ka një heshtje kolektive në interesimin ndaj kulturës. Nuk ka si të mos i përmendë vizat, problem që mes Kosovës e Bosnjës veç sa po shtohet. Adela në këtë intervistë flet për feminizmin, për gratë që luftuan për Jugosllavinë Socialiste, për artin kosovar të cilin e njeh dhe dëshirën e saj për një realitet tjetër.

Arbër Selmani

KultPlus: Adela, fillimisht na trego pak mbi ty, për ata që nuk të njohin ?
Adela Jusic:
Kam lindur më 1982 në Sarajevë, dhe që atëherë jetoj në këtë qytet. Kam diplomuar nga Akademia e Arteve të Bukura në Universitetin e Sarajevës dhe më pas kam përfunduar ERMA – masterin për të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci në Sarajevë dhe në Universitetin e Bolonjës. Jam bashkëthemeluese në Asociacionin për Art dhe Kulturë Crvena, ku punoj tash e pesë vite në projekte të ndryshme artistike. Për momentin bashkë me kolegen time Andreja Dugandžić po e kordinojmë projektin e arkivës online që ka të bëjë me luftën antifashiste të grave të Bosnje Hercegovinës dhe atyre nga Jugosllavia (www.afzarhiv.org) . Detyra jonë aty është të ruajmë dhe ti bëjmë të njohura evidencat historike mbi punën e Frontit Antifashist të Grave të Bosnjës e regjionit jugosllav, e po ashtu edhe mbi pjesëmarrjen e grave në Lëvizjen për Çlirim në ndërtimin e Jugosllavisë Socialiste. Për më shumë, sivjet po planifikojmë të botojmë edhe një publikim mbi këto arkiva, dicka shumë akademike, e që më pas do të bëhet e qasshme për të gjithë.
Që nga viti 2007 ekspozoj aktivisht nëpër qytete të ndryshme, dhe deri tash kam pasur rreth 100 ekspozita ndërkombëtar duke përfshirë këtu Manifesta 8, Murcia, Spain; Videonale Kunstmuseum Bonn, Germany; Image Counter Image, Haus der Kunst, Munich, Germany; Frestas – Trienal de Artes, Sorocaba, Brasil; IV Moscow International Biennale for Young Art, Russia etj. Kam marrë pjesë edhe në rezidenca artistike ndërsa në vitin 2010-të jam zgjedhur artistja më e mirë në Bosnjë – Young Visual Artist Award. Kam një mirënjohje speciale nga Salloni i Tetorit në Beograd dhe Henkel Young Artist Price Cee në vitin 2011-të.

KultPlus: Adela, a është arti politik dhe si e trajton politikën në punët e tua?
Adela Jusic:
Nuk duhet të debatojmë mbi atë nëse arti është politik, sepse ai është i tillë. Kemi miliona shembuj që na rrethojnë e na vërtetojnë diçka të tillë. Kur flasim mbi politikën sot mos të harrojmë se politikanët mund të perceptohen në mënyra të ndryshme. Mos ti përziejmë konceptet teknologji politike, aparat politik, sepse ne jemi të tillë, siç edhe ka thënë Aristoteli – Njeriu është kafshë politike, për nga natyra. Hana Arendt, shembull, e bazon kuptimin e saj politik si një qytetari aktive. Ajo e elaboron idenë se si secili qytetar e ushtron të drejtën e reklamimit. Kjo është politika që na serohet çdo ditë në formën e aktrimit. Aktiviteti politik vlerësohet jo pse çon deri në pajtim kolektiv për ndarjen e të mirave, por sepse i lejon qytetarët të ushtrojmë fuqitë e tyre, kapacitetin e gjykimit.
Arti nuk duhet të jetë vetëm një objekt tjetër në këtë kohë të prodhimit, kërkimit konstant për “progres” dhe korrupsionit pafund.

KultPlus: Duke parë punët tua, shoh shumë shpesh referenca familjare. Si ndihesh kur interferon eksperiencat tua personale në punët tua ?
Adela Jusic:
Ka shumë referenca familjare në punën time. Përvojat e mia janë të rëndësishme për inspirimin tim. Duke qenë personale, punët bëhen edhe politike. Tentoj të jem shumë direkte në transmetimin e punëve të mira, sidomos në kujtimet e njerëzve dhe se si ato materializohen në praktikën artistike. Duke u ballafaquar me kujtimet më ndihmon ta njoh edhe veten më mirë, ti procesoj më lehtë. Edhe audienca mendoj se më shumë mbështetet në këto emocione dhe kujtime. Dhe në fund, nuk jam vetëm unë që ballafaqohem me veten. Disa eksperienca janë kuptueshëm universale. Shumë prej nesh i ndajmë të njëjtat emocione për gëzimin, frikën, dashurinë. Nuk është e vështirë të arrish deri tek tjetri. Unë dua që publiku mos ta ketë kokën e zbrazur pasi sheh punët e mia, por dua ti bartin ato punë disi në këtë kokë.
KultPlus: A ka shtypje artistike sot në Bosnjë, dhe si është gjendja e artit dhe kulturës atje?
Adela Jusic: Nuk do ta quaja shtypje, por më shumë, një mungesë interesi, njëfarë neglizhence e skenës së artit, financiarisht, në sistemin e edukimit, në media. Ka mungesë të hapësirave alternative. Shtypja nuk është vetëm prej shkakut se arti sot nuk merret seriozisht. Sot lejohemi të shprehim veten me anë të rrjeteve sociale, më shumë se kurrë. Megjithatë, shprehja e një mendimi radikal në këto rrjete nuk do të thotë se do të marrësh vëmendjen e duhur. Ndonjëherë efekti është krejt i kundërt. Edhe pse kemi burime të pashtershme të informacionit, jemi të humbur, dhe qenia jonë politike po na merret nga vetja ngadalë.

KultPlus: A është bërë më i lehtë procesi i ballafaqimit me të kaluarën me anë të artit. A e kemi përdorur artin, ne vendet e Ballkanit, për tu pajtuar mes vete pas tërë luftërave e konflikteve që patëm?
Adela Jusic:
Unë kam një problem serioz me ruajtjen e qasjeve instrumentaliste krahas pajtimit në këtë regjion, zakonisht të imponuara nga jashtë, me pritjet për ta zgjidhur problemi menjëherë. Procesi i pajtimit do të zgjasë dhe është logjike që kjo periudhë merr disa vite. Problemi kryesor këtu nuk është mungesa e shpirtit njerëzor për një gjë të tillë, nga të gjitha kombet, por mungesa e një vullneti politik për të punuar në proces, sepse ata në fuqi e dinë se me pajtimin e njerëzve do tu zvogëlohet kjo forcë e pushtetit. Duke e mbajtur frikën e gjithanshme për më shumë se 20-të vite, partitë nacionaliste po vazhdojnë ende mbizotërimin e tyre.
Në anën tjetër, kam takuar kaq shumë punonjës me të drejtat e njeriut nga Bashkimi Evropian dhe Amerika që punojnë në zgjidhje konfliktesh e pajtim, dhe në shumicën e rasteve jam zhgënjyer me të kuptuarit e tyre të situatës politike në Ballkan, me mungesën e njohurive mbi zhvillimet historike në vendin tonë dhe mbi mungesën e lidhjes emocionale e shpirtërore me këtë pjesë.
Nuk mund të presësh nga arti ti ndryshojë gjërat e problemet. Mundet, dhe i kontribuon hapësirës për diskurs të ri e debat, por arti fatkeqësisht nuk do të arrijë numër të madh të njerëzve, nuk mund ti influencojë ata, që ti drejtojë drejt procesit të pajtimit. Arti as nuk ndikon në përgjegjësinë e politikanëve që e kanë bllokuar këtë proces. Megjithatë, koha do ta tregojë sa arti ndikon në jetën tonë, në të ardhmen, sa merret me të kaluarën, dhe sa ka pasur ndikim në perceptimin tonë mbi Jugosllavinë, luftërat. Jam e sigurt se shumë artistë do të kujtohen si kritikë të rëndësishëm, njëjtë si historianët, e do të quhen “profetët” e së ardhmes.

KultPlus: Sa e njeh artin kosovar ?
Adela Jusic:
Jam e njohur me disa artistë edhe personalisht, e disave ua njoh vetëm punën duke mos pasur mundësi ti takoj. Shumë pak prej tyre ekspozojnë në Bosnje dhe njëjtë artistët nga Bosnja rrallë shkojnë në Kosovë shkaku i vizave dhe mungesës së financave për shkëmbime të tilla. Pra, skenën e Kosovës e kam njohur jashtë saj. Më pëlqen shumë Alban Muja. Ka shumë punë nga Kosova që janë kritike ndaj sistemit politik dhe që merren e fokusohen me çështje të rëndësishme. Këto praktika dhe këta artistë më pëlqejnë,normalisht.

KultPlus: Dhe për fund, cilat janë planet e Adelës për këtë vit. Kur do të jesh në Kosovë ?
Adela Jusic:
Në fund të janarit do ta kem një ekspozitë në Finlandë, ku do të shfaqen punët e mia që kanë të bëjnë me konfliktet në ish Jugosllavi, sikur “The Sniper”, “Who needs DRNCH?”, “Memory Lane”, “Ride the Recoil” etj. Jam e lumtur për këtë mundësi dhe për këtë bashkim punësh. Gjithashtu do të flas edhe mbi politikë nacionaliste dhe mbi feminizmin, e po ashtu edhe mbi gjendjen aktuale të artit e kulturës në Bosnjë dhe në regjion.  Kam folur edhe me Artpolis, dhe kemi diskutuar pjesëmarrjen time në FEMART, kështu që shpresoj se Kosova do të jetë destinacion për këtë vit. Deri tash kam qenë atje vetëm për Dokufest në Prizren, dhe kam marrë pjesë në “Unerasable”, një ekspozitë e përbashkët. Kam qenë edhe pjesë e ekspozitës Muslim Mulliqi, por që shkaku i vizave nuk munda të vij atje personalisht. Viza është problem aktual i madh, dhe kjo e bën që ekspozitat mes Bosnjës e Kosovës të jenë të rralla. / KultPlus.com

https://adelajusic.wordpress.com/
https://www.facebook.com/crvena.ba/?ref=hl&__mref=message)
Fotoja kryesore: (“We long for work and toil” in collaboration with Andreja Duganžić, 2015.)