ARTICLE IN GAZETE ABOUT MY WORK

Adela-Jusic-2

Teksa duart e Adelës përshkojnë flokët e saj, ajo (gjyshja) vazhdon të flasë për të shkuarën. “Fqinjët mbeten fqinj, ata bëjnë vizita tek unë për Bajram, ndërsa unë u bëj vizita për Krishtlindje. Kur u kthyen nga Serbia isha, e para që shkova për vizitë tek ata…”, vazhdon të flasë gruaja e moshuar boshnjake, duke treguar raportet historike mes njerëzve në këtë vend. Adela nuk flet. Ajo dëgjon rrëfimin, duke ngjyrosur flokët e saj të thinjur me ngjyrën e kuqe të zemrës. “Në atë kohë ishte katërqind herë më keq, ndaj vdekja është një lehtësim”, pëshpërit gjyshja. Këto janë pasazhet që shfaqen në videon me titull “Kur unë të vdes ti mund të bësh ç’të duash” të artistes boshnjake Adela Jusic, imazhet e së cilës u publikuan nga “New York Times”, disa kohë më parë. Një rrëfim imagjinar për gjyshen që nuk jeton më, prekte një dramë të jetës së këtij vendi, përmes rrëfimit të një gruaje me fytyrën e vogël të mbushur me rrudha, ku shkëlqenin ca vathë. Në një vend që ende nuk është ndarë nga e shkuara, është e vështirë të shihet apo kuptohet arti bashkëkohor. Por Jusic, një artiste e njohur në skenën e artit bashkëkohor, me një numër të madh ekspozitash në vende të ndryshme jashtë Sarajevës e përdor artin e saj për të treguar historinë. Nuk ka menduar asnjëherë të largohet prej Sarajevës, dhe të kthejë në art ngjarje që i sheh diku tjetër. Kjo, pasi një artist është i vërtetë kur flet për ndjesi që i njeh më mirë. Historia e treguar në video, është vetëm një prej dhjetëra punëve të Jusic që në mënyra të ndryshme tregojnë forcën e këtij vendi. Si femër, ajo nuk mund të rrijë pa prekur çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e gruas në këtë vend. Pak kohë më parë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Konjic, veprat e saj do të provokonin debat, mbi mënyrën sesi femrat kanë jetuar në ish-Jugosllavi. Kostumet zyrtare, apo përfshirja e tyre në shumë detyra shtetërore, vinte përmes fotove të zgjedhura nga Jusic që flisnin qartazi. Në një vend ku debatet e vetme janë për fenë, kjo artiste e re kërkon të flasë për gruan, për të ndërgjegjësuar për rolin që femrat duhet të kenë në këtë shoqëri të trazuar. Pesë vite më parë ajo iu bashkua shoqatës “Crvena” (E kuqe), një lëvizje feministe, ku bëjnë pjesë dhe femra të tjera aktive të Bosnjës. “Bosnja është kapur nga identiteti”, thotë Jusic , duke treguar se kjo temë është nga më të ndjeshmet sot. Festivalet folklorike, aktivitete të lidhura me religjionin, identitetin janë ato që bëhen më shpesh në këtë vend. Por sipas Jusic ka ardhur koha kur këto tema duhet të tejkalohen dhe njerëzit të shohin më shumë në problemet reale, gjërat që prekin çdo ditë jetën e tyre. Nëse vazhdojmë të flasim për identitetin, apo të shkuarën nuk mund të ketë progres sipas Jusic. Ajo ka zgjedhur gratë si pjesë të procesit të saj krijues duke besuar te forca që mbartin këto qenie që i njeh më mirë. Ajo ka udhëtuar shumë nëpër vendet e ish-Jugosllavisë për të kuptuar më mirë atë çfarë ka ndodhur me gratë në këto vende. Por modeli më i mirë janë gratë e shtëpisë së saj, duke nisur nga gjyshja që shfaqet e brishtë në video. Arti i Jusic na i sjell femrat nga koha e socializmit të Titos, te jeta që ato bëjnë sot në shpërbërje të ish-Jugosllavisë. Ashtu si çdo qenie në Bosnjë dhe ato janë të veshura nga një tis malli për atë kohë, që Adelë e ravijëzon në portretet e tyre. Një nga punët e saj interesante është ajo me titull “Na tregoni diçka mbi jetën tuaj të re”, ku personazhe janë gratë në socializëm. Sipas Jusic, në atë kohë femrat ishin më shumë të angazhuara në detyra publike. Mënyra sesi shihej emancipimi i gruas në atë kohë, e bën interesant prezencën e tyre në vështrimin e artistes. “Dinjitet, mosbindje, frikë, dëshpërim” është një tjetër vepër e saj, ku ajo vë në pikëpyetje se atë çfarë u ka sjellë lufta Ballkanit? Më 4 gusht, Adelë do të ekspozojë në Galerinë Miza, në Tiranë për të sjellë një kolazh të veprave të saj të zgjedhura. Lindur në Sarajevë, Adela Jusic, është një nga artistet më premtuese të gjeneratës së saj. Pas Tiranës, ajo bashkë me artisten Andreja Dugandzic, do të hapë me datë 10 gusht ekspozitën e saj të radhës në DokuFest – “Unerasable”. Vitin e kaluar ajo ishte një ndër artistet pjesëmarrëse në Ekspozitën Muslim Mulliqi – “Out of the blue”.

LINK to  online text in Albanian